Mbi 6 të vdekur nga sulmet ruse, qindra raketa dhe dronë godasin infrastrukturën energjetike në Ukrainë

Mbi 6 të vdekur nga sulmet ruse, qindra raketa dhe dronë godasin infrastrukturën energjetike në Ukrainë

Ukraina u përball me një valë shkatërruese sulmesh masive ruse, të cilat lanë të vdekur të paktën gjashtë persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë. Rusia lëshoi më shumë se 450 dronë bombardues dhe 45 raketa, duke synuar infrastrukturën kritike energjetike dhe objektiva banimi në të paktën 25 vende, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Tragjedia në Dnipro dhe Zaporizhzhia

Dy persona humbën jetën dhe 12 u plagosën pas një sulmi me dronë në një pallat apartamentesh në qytetin e Dnipros. Paralelisht, tre persona të tjerë vdiqën në Zaporizhzhia.

Kryeministrja Yulia Svyrydenko tha se objektet kryesore të energjisë u dëmtuan rëndë në rajonet Poltava, Kharkiv dhe Kiev, duke lënë shumë zona pa energji elektrike dhe ngrohje në prag të dimrit.

“Objektet kritike të infrastrukturës janë rilidhur tashmë dhe furnizimi me ujë po mirëmbahet duke përdorur gjeneratorë.” tha Svyrydenko.

Në kundërpërgjigje, forcat ajrore ukrainase njoftuan se arritën të rrëzonin në total 9 raketa dhe 406 dronë. Ministria ruse e Mbrojtjes pohoi se forcat e tyre kishin rrëzuar 79 dronë ukrainas gjatë natës.

Zelensky kritikon lëshimet në sanksione

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shfrytëzoi rastin e sulmeve për të kritikuar vendimin e fundit të SHBA-së për të lejuar një përjashtim njëvjeçar për Hungarinë në blerjen e naftës dhe gazit nga Rusia, duke thënë se ky ishte një gabim strategjik.

Zelensky tha se sulmet treguan se nuk duhet të ketë “asnjë përjashtim” nga sanksionet perëndimore ndaj energjisë ruse, si një mënyrë për të ushtruar presion mbi Moskën.

“Për çdo sulm të Moskës ndaj infrastrukturës energjetike – që synon të dëmtojë njerëzit e zakonshëm para dimrit – duhet të ketë një përgjigje me sanksione që synojnë të gjithë energjinë ruse, pa përjashtime.”, shkroi Zelensky në Telegram.

Kjo ndihmë financiare indirekte ndaj Moskës, argumentojnë analistët, i lejon Rusisë të ndërtojë më shumë dronë dhe raketa si ato të përdorura në sulmin e fundit.

Analistët theksojnë se ky dimër i katërt i luftës do të jetë një provë e rëndësishme e qëndrueshmërisë mbrojtëse dhe ekonomike të Ukrainës. /rtsh/

Share This