
Juventus ndalet nga Sportingu në Torino, Zhegrova debuton me paraqitje pozitive
Juventusi ka barazuar me rezultat 1-1 ndaj Sporting Lisbonës në ndeshjen e fazës së ligës të Ligës së Kampionëve, në një duel me ritëm të lartë dhe shumë raste për shënim.
Skuadra mysafire e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 12-të, kur Trincao asistoi bukur në zonë për Maximiliano Araujo, i cili realizoi me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë, duke lënë të pafuqishëm portierin e Juventusit. Vetëm pak çaste më vonë, Trincao ishte pranë golit të dytë, por goditja e tij u ndal në traversë.
“Zonja e Vjetër” reagoi përmes Dusan Vlahovic, i cili ishte protagonist gjatë gjithë pjesës së parë. Sulmuesi serb u ndal dy herë nga portieri Rui Silva, por në minutën e 34-të arriti të barazojë rezultatin pas një aksioni të kombinuar me Khephren Thuram, duke shënuar saktë për 1-1.
Në fund të pjesës së parë, Juventusi ishte shumë pranë përmbysjes, por tentativa e Francisco Conceicao u ndal mbi vijën e portës nga një mbrojtës i Sportingut.
Pjesa e dytë solli më pak raste, por shumë duele të forta dhe kartonë të verdhë. Araujo (61’) dhe Hjulmand (73’) u ndëshkuan për ndërhyrje të ashpra, ndërsa të dy trajnerët bënë zëvendësime për të freskuar ekipet.
Në minutën e 85-të, Geny Catamo provoi me një goditje të fortë nga distanca, por topi kaloi ngjitur me shtyllën e djathtë, duke lënë rezultatin të pandryshuar.
Në këtë takim me Juvën në Champions debutoi edhe Edon Zhegrova, i cili u aktivizua në pjesën e dytë dhe la përshtypje pozitive me lojën e tij dinamike dhe disa aksione premtuese.
Ky barazim e lë Juventusin në garë për kualifikim, ndërsa Sportingu mbetet skuadër e rrezikshme për vendet e para në grup. /Rekordi.net


