Milan mposht Romën në derbin e zjarrtë italian

Milan mposht Romën në derbin e zjarrtë italian

AC Milan ka marrë një fitore të rëndësishme në garën për titullin e Serie A-së, duke mposhtur AS Romën me rezultat të ngushtë 1-0, në një përballje të fortë që i dha fund serisë prej gjashtë fitoreve radhazi si mysafire të skuadrës verdhekuqe.

Sfida nisi me dominim të lehtë të Romës, që pati disa raste të pastra për gol me Bryan Cristante, Evan Ndicka dhe Paulo Dybala, por mungesa e saktësisë në përfundim i kushtoi shtrenjtë.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, Milani goditi në mënyrën më të mirë të mundshme — pas një kundërsulmi të shpejtë, Rafael Leão asistoi për Strahinja Pavlović, i cili shënoi golin vendimtar të ndeshjes.

Në pjesën e dytë, Rossonerët vazhduan të rrezikonin, me Leão dhe Fofana që humbën raste të arta, ndërsa portieri Mile Svilar u bë protagonist me disa pritje të shkëlqyera për Romën.

Roma pati mundësinë ideale për të barazuar nga penalltia pas një prekje me dorë të Fofanës, por Mike Maignan reagoi në mënyrë fantastike, duke ndalur goditjen e Dybalas dhe duke ruajtur epërsinë.

Në fund, goli i Pavlovićit rezultoi vendimtar, duke i dhënë Milanit tri pikë të vlefshme që e ngjitin në vendin e tretë, ndërsa Roma zbret në pozitën e katërt pas humbjes së parë në transfertë këtë sezon. /Rekordi.net

Share This