Vlora Çitaku: Koha e arrogancës së Albin Kurtit po mbaron

Vlora Çitaku: Koha e arrogancës së Albin Kurtit po mbaron

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të Albin Kurtit për formimin e qeverisë, duke thënë se kryeministri në detyrë e ka ndërtuar tërë profilin e tij politik mbi “polarizim, fyerje dhe manipulim”.

Në një reagim në rrjete sociale, Çitaku ka theksuar se Kurti ka tentuar të sundojë, sepse “nuk ka ditur të qeverisë”.

“Tërë profilin politik e ka ndërtuar mbi polarizim, fyerje dhe manipulim. Ka tentuar të sundojë, sepse nuk ka ditur të qeverisë. Për pesë vite me radhë, ka sulmuar gjykatat, prokurorinë, mediat, bizneset dhe sindikatat. Ka goditur këdo që nuk i është nënshtruar,” ka shkruar Çitaku.

Ajo shtoi se edhe pas dështimit për formimin e qeverisë, Kurti po vazhdon me të njëjtin qëndrim, duke kërkuar mbështetje vetëm sepse “ashtu po thotë ai”.

“Edhe sot, i njëjti diskurs: ‘Ejani e më votoni, sepse ashtu po them unë.’ Por koha e arrogancës po mbaron. Demistifikimi i figurës së tij filloi ditën e parë që mori pushtetin. Tendencat totalitare u panë menjëherë. Sot, të zgjedhurit e popullit i treguan qartë se kjo mendësi nuk kalon,” përfundoi deputetja e PDK-së.

Share This