
Hykmete Bajrami: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për shkak të paaftësisë së partisë së parë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas seancës së sotme të Kuvendit, ku nuk u arrit miratimi i Qeverisë së re të propozuar nga Albin Kurti.
Në një deklaratë për media, Bajrami tha se zhvillimet e sotme tregojnë qartë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, si pasojë e pamundësisë për të krijuar shumicën parlamentare.
“Për shkak të paaftësisë së partisë së parë që ka dalë në zgjedhje për të bërë koalicione, ne po shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi ajo.
Deputetja e LDK-së theksoi se kjo situatë është rezultat i mungesës së kapaciteteve politike për ndërtimin e një shumice qeverisëse, ndërsa theksoi se fjalën e fundit do ta kenë qytetarët.
“Partia fituese po e kthen besimin te qytetarët”, shtoi Bajrami, duke e cilësuar këtë si një hap të pashmangshëm dhe të vetmen rrugë për të dalë nga bllokada politike në të cilën ndodhet vendi.

