
Barcelona i falet Araujo-s, mund Girona-n
Barcelona ka shënuar një fitore dramatike në derbin katalanas ndaj Gironës, duke triumfuar me rezultat 2–1 në “Montjuïc”.
Ndeshja ishte e luftuar deri në sekondat e fundit, me ritëm të lartë dhe duele të forta fizike, ku të dyja skuadrat patën momente dominimi, por shpesh mungoi efikasiteti në përfundim.
Skuadra e Felix e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 13-të me mesfushorin Pedri, i cili realizoi pas një kombinimi të bukur në zonë, duke e dërguar topin në rrjetë me një goditje të saktë të ulët.
Girona reagoi shpejt dhe arriti të barazojë në minutën e 20-të përmes Axel Witsel, që shfrytëzoi një devijim të mbrojtjes dhe me goditje me kokë mposhti portierin katalanas, duke rikthyer ekuilibrin në rezultat.
Në pjesën e dytë, loja u hap më shumë, me raste të mira për Barcelonën nëpërmjet Raphinhës dhe Lewandowskit, ndërsa Girona kërcënoi disa herë me kundërsulme të rrezikshme. Megjithatë, kur dukej se gjithçka do të përfundonte në barazim, erdhi momenti vendimtar.
Në minutën e 90+3’, Frenkie de Jong asistoi bukur për mbrojtësin Ronald Araujo, i cili me një goditje precize brenda zonës vulosi fitoren 2–1 për “blaugranat”.
Falë këtij triumfi, Barcelona ngjitet përkohësisht në krye të tabelës me 22 pikë, një më shumë se Real Madridi që ka një ndeshje më pak, ndërsa Girona mbetet në zonën e ftohtë, në vendin e 19-të me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara.

