
Isa Mustafa: Osmani sakrifikon interesat strategjike të Kosovës duke shpresuar që Kurti t’ia mundësojë mandatin e dytë
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar vizitat e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ato nuk kanë ndonjë rol në rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në.
Sipas tij, këto vizita nuk janë theksuar si kusht për rifillimin e dialogut dhe, për rrjedhojë, nuk ndikojnë në këtë drejtim.
“Nuk është theksuar si kusht i rikthimit të dialogut strategjik, vizita e Osmanit dhe Kurtit në SHBA. Prandaj s’ka asnjë rol. Takimet që bëhen në sesionin vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB nuk ofrojnë kushte dhe mundësi për tema përmbajtësore,” tha Mustafa.
Ai foli edhe për natyrën e takimeve të zhvilluara gjatë këtyre vizitave, duke theksuar se ato kanë qenë më shumë simbolike dhe pa ndikim real.
“Presidentja e ka bërë një foto protokolare me Presidentin Trump, e cila zgjatë sa zgjatë fotografimi dhe shtërngimi i duarëve, në pritjen që organizon për të gjithë dhe, po ashtu, një foto me sekretarin shtetëror,” tha Mustafa.


