
Lushaku-Sadriu kritikon Osmanin: “E pabesueshme të përdoren kushtet e vështira të një shkolle për rrëfim personal”
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se është e papranueshme që gjendja e vështirë e një shkolle të përdoret për të ndërtuar “rrëfim personal” dhe për të sulmuar mediat.
“A nuk janë fëmijët në shkolla prioritet dhe siguri nacionale? Është e pabesueshme se si një Presidente përdor kushtet e vështira të një shkolle për të ndërtuar një rrëfim për ‘sakrificën’ e saj; për t’u distancuar nga përgjegjësia për arsimin publik dhe për të sulmuar mediat e gazetarët. Tri probleme serioze të përmbledhura në një sulm publik!”, ka deklaruar ajo.
Si ish-drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë, Lushaku-Sadriu tha se ndjeu obligim të reagojë ndaj keqpërdorimit të emrit të shkollës “Ismail Qemali”, e cila ka afro 3 mijë nxënës dhe është ndërtesë e vjetër. Ajo njoftoi se tashmë është siguruar fondi për renovimin e plotë të kësaj shkolle vitin e ardhshëm, ndërsa aktualisht komuna ka ofruar tabela digjitale dhe kushte bazike në përputhje me mundësitë buxhetore.
Deputetja e LDK-së akuzoi Osmanin dhe “partitë e saj satelite në pushtet” për injorim të arsimit në pesë vitet e fundit. Sipas saj, mësimdhënësit janë lënë pa rritje të mjaftueshme pagash dhe pa kushte minimale pune, ndërsa nxënësit përballen me mungesa elementare për mësim normal.
“Për pesë vite, Presidentja dhe partitë e saj satelite e kanë injoruar arsimin, shkollat, fëmijët, prindërit dhe mësuesit! Sot, 73% e paraleleve dhe 33% e shkollave nuk kanë kapacitete minimale për mësim normal. Ministrisë së Arsimit i mbetet buxhet i pashfrytëzuar, si mungesë vizioni”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu e pyeti Osmanin pse nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të siguruar fonde për renovimin e shkollave publike apo për të thirrur tryeza të përbashkëta institucionale për zgjidhjen e problemeve në nivel kombëtar.
“Edhe më shqetësuese është se, duke përdorur kushtet e vështira të shkollës, po sulmohen mediat dhe gazetarët. Kur pushteti sulmon mediat në vend se të investojë në shkolla, kemi të bëjmë me tendenca autokratike e të rrezikshme për vendin”, theksoi ajo.
Deputetja e LDK-së përfundoi duke thënë se Kosova ka nevojë për lidership vizionar, që jep zgjidhje për arsimin, hap dyer për investime, integrim në NATO dhe BE – e jo për “viktimizime personale, populizëm dhe sulme ndaj lirisë së shprehjes”.


