40 vatra zjarri brenda 6 orëve, ndërhyrje ajrore nga KFOR në Podujevë

40 vatra zjarri brenda 6 orëve, ndërhyrje ajrore nga KFOR në Podujevë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 të datës 9 gusht 2025, në mbarë vendin janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri.

Sipas raportit, 15 prej tyre janë ende aktive, ndërsa 25 janë lokalizuar. Situata më e rënduar është në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit është kërkuar ndihmë nga njësi të tjera zjarrfikëse dhe ndërhyrje ajrore nga KFOR-i.

Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës. AME thekson se menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Agjencia u bën apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.

AME ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve, mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e qytetarëve. /Rekordi.net

Share This