Rama uron Kurtin: Fitore domethënëse, mandati i ri të kthehet në sukses dhe mbarësi për Kosovën

Rama uron Kurtin: Fitore domethënëse, mandati i ri të kthehet në sukses dhe mbarësi për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke siguruar një mandat të ri qeverisës. Pas shpalljes së rezultatit paraprak në Kosovë, kryeministri Edi Rama ka uruar Kurtin për fitoren, duke e cilësuar atë domethënëse dhe të konfirmuar nga vullneti i qytetarëve të Kosovës.

Rama shprehet se e ka uruar kryeministrin e rizgjedhur për suksesin elektoral dhe ka theksuar rëndësinë e këtij mandati për të ardhmen e Kosovës dhe për marrëdhëniet mes dy shteteve.

“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin dhe për partinë e tij të kthehet në sukses dhe mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona,” është shprehur Rama.

Në përfundim të mesazhit të tij, kryeministri shqiptar ka uruar të dy vendet, duke thënë: “Gëzuar Shqipëri dhe Kosovë.”

Fitorja e Albin Kurtit në zgjedhjet e parakohshme pritet t’i hapë rrugë formimit të qeverisë së re në Kosovë, duke i dhënë fund një periudhe pasigurie politike. Pamundësia për të krijuar qeveri ishte një nga arsyet kryesore që vendi shkoi dy herë në zgjedhje të parakohshme brenda një viti.

Në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje doli forcë e parë, por nuk arriti të siguronte numrin e nevojshëm të mandateve për të formuar e vetme qeverinë. Mungesa e një koalicioni qeverisës e çoi vendin sërish drejt zgjedhjeve.

Sipas numërimit paraprak të votave, Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti, ka dalë forcë e parë edhe në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, duke marrë rreth 50 për qind të votave. Ky rezultat i jep Vetëvendosjes një avantazh të rëndësishëm për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në një dalje të mëparshme për mediat, e ka cilësuar këtë rezultat si fitoren më të madhe në historinë e Kosovës, duke theksuar se ai përfaqëson një mbështetje të fuqishme nga qytetarët për programin dhe qeverisjen e tij.

/rtsh.al/

Share This