
Maqedonci: Ligji për industrinë e mbrojtjes në janar 2027
Koncept-dokumenti për industrinë e mbrojtjes pritet t’i dërgohet Qeverisë për miratim javën e ardhshme, ndërsa ligji për këtë industri planifikohet të miratohet në fillim të vitit 2027, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të AAK-së, Burim Ramadani, në Kuvend, Maqedonci tha se dokumenti përfundimtar është përgatitur pas konsultimit publik.
“Dokumenti final është përfunduar këtë javë. Nga java e ardhshme ne do ta përcjellim në Qeveri për miratim dhe më pas do ta sjellim në Kuvend brenda këtij viti, në mënyrë që t’i hapet rrugë që qysh në fillim të vitit të ardhshëm, në janar, të miratohet ligji për industrinë e mbrojtjes”, tha Maqedonci.
Ramadani kritikoi vonesat në hartimin e kornizës ligjore, duke thënë se, sipas koncept-dokumentit, procesi për krijimin e saj mund të zgjasë deri në fund të vitit 2028 ose në fillim të vitit 2029.
Ministri, ndërkaq, tha se mungesa e ligjit nuk e pengon prodhimin, pasi kjo çështje është trajtuar më herët përmes ligjeve të ministrive të tjera.
“Ne normalisht jemi tani duke e kaluar aty ku duhet, në Ministrinë e Mbrojtjes, ligjin për industrinë e mbrojtjes”, deklaroi Maqedonci, raporton rtk.
Ai bëri të ditur se gjatë hartimit të koncept-dokumentit janë marrë modele nga Kroacia, Estonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Turqia dhe Shqipëria, ndërsa procesi është mbështetur nga Oda Ekonomike Amerikane dhe Ambasada e SHBA-së.
Ndërkohë, Ramadani ngriti edhe shqetësime për përfshirjen e Irfan Lipovicës në grupin punues për koncept-dokumentin, duke thënë se ai ka aktakuzë në rastin e rezervave shtetërore.
“Irfan Lipovica nuk u desh me qenë në këtë grup. Është edhe ministrja këtu, nuk u desh! Pra është gabim, njerëz me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare me qenë në grup për industrinë e mbrojtjes është fatkeqësi”, tha Ramadani.

