
11 policë të lënduar, 23 arrestime pas protestës së PD-së në Tiranë
Policia e Shtetit ka njoftuar se 11 policë janë lënduar dhe 23 persona janë shoqëruar në polici në protestën e sotme të Partisë Demokratike para Kryeministrisë dhe Kuvendit në Tiranë.
Sipas një njoftimi të forcave të rendit, policët që po marrin ndihmë mjekësore u lënduan si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, transmeton Klankosova.tv
Të njëjtit janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
“Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi”.
Gjithashtu bëhet e ditur se janë shoqëruar në polici 23 persona.
“Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij”, thuhet në njoftim.


