
Zjarret në vend, 8 vatra aktive, situata më e rëndë në Lurë dhe Mallakastër
Vazhdon puna e pandërprerë e ekipeve zjarrfikëse dhe forcave të tjera operacionale në të gjithë vendin për të vënë nën kontroll situatën nga zjarret.
Sipas të dhënave të raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, deri në orën 16:00 janë raportuar gjithsej 18 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë shuar plotësisht dhe 8 janë ende aktive.
Zjarret e shuar plotësisht
Pas një pune të pandërprerë, forcat operacionale arritën të izolojnë dhe të shuan plotësisht vatrat e zjarrit në disa zona të vendit. Situata më e vështirë ishte në fshatin Poshnje, Dimal, ku flakët kërcënonin banesa dhe një repart ushtarak, por falë ndërhyrjes së shpejtë, rreziku u shmang. Flakët u vunë nën kontroll edhe në këto zona:
Kotë, Selenicë
Vrion, Finiq
“Qafa e Laçit”, Vau-Dejës
Mengël, Elbasan
Liqeni i Thatë dhe rruga “Haki Stërmilli”, Tiranë
Kavajë
Zagorë, Shkodër
Radanj, Kolonjë
Vatra aktive dhe situata në terren
Aktualisht, 8 vatra zjarri mbeten aktive, kryesisht në zona pyjore dhe me terren të vështirë, ku ndërhyrja është e ndërlikuar. Situatat më kritike janë në:
Qarku Dibër: Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës, i cili ka nisur që më 7 korrik, ka prekur rreth 200 hektarë pyje pishe dhe ahu. 60 forca operacionale, duke përfshirë edhe 30 trupa të Forcave të Armatosura, po punojnë pa pushim për shuarjen e tij. Një tjetër vatër aktive është edhe në Bulqizë, ku zjarri u riaktivizua më 13 korrik dhe po përhapet ngadalë drejt fshatrave Vlashaj dhe Krajkë.
Qarku Fier: Zjarri i riaktivizuar në fshatin Drenovë, Mallakastër, ka kaluar në fshatin Gorishovë. Terreni i vështirë dhe era e fortë e kanë bërë të vështirë situatën. Në vendngjarje ndodhen rreth 80 forca, përfshirë ushtarakë, zjarrfikës dhe dy helikopterë.
Zjarre janë aktive edhe në:
Borsh, Himarë (Qarku Vlorë)
Kosinë, Përmet (Qarku Gjirokastër)
Gjevur, Peqin; Dufshan, Gramsh dhe Hotolisht, Librazhd (Qarku Elbasan)
Në total, në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 291 forca operacionale dhe Forcat e Armatosura me 2 helikopterë dhe 120 trupa në terren, raporton rtsh.


