
Zjarr tragjik në shkollën e vajzave në Kenia, të paktën 16 nxënëse humbin jetën
Një zjarr i madh ka përfshirë një konvikt vajzash në Kenia qendrore, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë.
Autoritetet policore konfirmuan se numri i viktimave ka arritur në të paktën 16 persona, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për studente të tjera.
Sipas agjencisë AFP, e cila citoi burime policore, numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë, kryesisht nxënëse femra – ndërsa 73 të tjera janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet e zonës.
Raportet e para të mediave flisnin për 10 viktima.
Zjarri shpërtheu herët në mëngjes, ndërsa nxënëset po flinin në konvikt. Flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke shkaktuar panik dhe duke e bërë të vështirë evakuimin.
Kryqi i Kuq raportoi se alarmi u dha rreth orës 03:30 sipas orës lokale, megjithëse mediat vendase sugjeruan se zjarri mund të ketë nisur edhe më herët.
Sipas agjencisë AP, zjarret në shkolla nuk janë të rralla në Kenia. Shkaqet kryesore kanë qenë qarqet e shkurtra elektrike dhe zjarrvëniet e qëllimshme.
Ngjarja më e rëndë e këtij lloji ndodhi në vitin 2001 në Machakos, ku humbën jetën 67 nxënës. /RTSH/

