
Zhegrova nuk largohet, thotë presidenti i Lilles
E ardhmja e Edon Zhegrovës te Lille mbetet e hapur, por presidenti i klubit francez, Olivier Letang, ka lënë të kuptohet se sulmuesi kosovar mund të qëndrojë edhe për sezonin 2025/26.
Pas një mungese prej nëntë muajsh, Zhegrova pritej të largohej nga skuadra, madje u përfol edhe për një kalim te Marseille.
Megjithatë, Letang tha këtë të premte se situata nuk është e përshtatshme për largim dhe se lojtari është gati të rikthehet në stërvitje me ekipin.
“Edon është mirë, po stërvitet mirë dhe është rikthyer mirë. Nga e hëna mund të fillojë sërish stërvitjen me ekipin profesional dhe të mbështetemi tek ai për këtë sezon. Në vend që të kërkojmë dikë jashtë, kemi dikë në shtëpi që po bën mirë”, u shpreh Letang.
Ai shtoi se nuk ka pasur kontakte me klube të tjera franceze dhe se Zhegrova është “i uritur” për t’u rikthyer në gara.

