
Zelensky: Anëtarësimi në BE duhet të jetë pjesë e garancive të sigurisë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh sot në favor të anëtarësimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën.
“Ndër garancitë e sigurisë që shohim, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një garanci e detyrueshme ekonomike, politike dhe gjeopolitike e sigurisë”, tha Zelensky në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.
Zelensky theksoi se kjo ishte një “pikë e veçantë” në diskutimet që po zhvillohen.
Deklaratat e tij erdhën pas mbledhjes së liderëve të “koalicionit të vullnetshëmve” në Paris për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën e goditur nga lufta.
Kievi po përpiqet të zmbrapsë një pushtim të plotë rus për më shumë se tre vjet e gjysmë, me mbështetjen e Perëndimit.
Koalicioni, i cili përfshin më shumë se 30 shtete, po diskuton format e mbështetjes për Ukrainën, për ta mbrojtur vendin nga agresioni i ardhshëm rus sapo të arrihet një armëpushim ose marrëveshje paqeje.
Traktatet e BE-së përmbajnë gjithashtu një klauzolë për ndihmë ushtarake. /atsh/


