Zbardhet drafti i marrëveshjes SHBA-Iran/14 pika për paqe, sanksione dhe negociata mes Washingtonit e Teheranit

Zbardhet drafti i marrëveshjes SHBA-Iran/14 pika për paqe, sanksione dhe negociata mes Washingtonit e Teheranit

Zyrtarët amerikanë kanë publikuar draftin e memorandumit të mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, një dokument që synon t’i japë fund përshkallëzimit të tensioneve dhe të hapë rrugën për një marrëveshje të plotë mes dy vendeve.

Dokumenti përmban 14 pika dhe parashikon ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake, si dhe angazhimin e palëve për të shmangur përdorimin e forcës në të ardhmen

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni dhe Teherani zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit. Drafti parashikon që marrëveshja përfundimtare të arrihet brenda 60 ditëve, ndërsa gjatë kësaj periudhe do të vijojnë negociatat për çështjet e mbetura.

Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me heqjen graduale të sanksioneve ndaj Iranit dhe lehtësimin e eksporteve të naftës iraniane.

Dokumenti parashikon gjithashtu lirimin e fondeve të ngrira të Teheranit dhe nisjen e një plani të gjerë rindërtimi ekonomik me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, Irani riafirmon se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe pranon të negociojë për aktivitetet e programit të tij atomik. Gjatë periudhës së bisedimeve, Teherani do të ruajë statusin aktual të programit bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja.

Memorandumi parashikon gjithashtu krijimin e një mekanizmi të përbashkët për monitorimin e zbatimit të angazhimeve nga të dyja palët. Nëse negociatat përfundojnë me sukses, marrëveshja finale pritet të miratohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit në rajon. /rtsh/

Share This