
Xhaka para sfidës me Arsenalin: Do të jetë një ndeshje e veçantë
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, po përgatitet për një sfidë emocionale këtë të shtunë, kur ekipi i tij do të presë Arsenalin në kuadër të Premier League angleze.
Kjo ndeshje do të jetë e para për Xhakën që përballet me ish-ekipin e tij që nga largimi nga Londra në verën e vitit 2023.
Mesfushori shqiptar ka thënë se fokusi i tij mbetet të ndihmojë Sunderlandin për të vazhduar serinë pozitive dhe të ruajë performancën e lartë.
“Do të jetë një ndeshje e veçantë, por tani jam në anën tjetër dhe jam i vendosur të jap maksimumin për Sunderlandin”, ka deklaruar Xhaka.
33-vjeçari iu bashkua Sunderlandit para fillimit të këtij sezoni dhe menjëherë u shndërrua në liderin e skuadrës, e cila u rikthye këtë sezon në elitën e futbollit anglez.
Në 10 ndeshje të luajtura deri tani, Xhaka ka shënuar 1 gol dhe ka dhuruar 3 asistime, ndërsa Sunderland ka arritur të grumbullojë 18 pikë, duke zënë vendin e katërt në tabelë.
Ndeshja Sunderland – Arsenal do të luhet këtë të shtunë nga ora 18:00, dhe i përket xhiros së 11-të të Premier Leagues.


