Vinicius hero dhe polemika në Lisbonë, Real Madridi mund Benfica-n, fitojnë edhe Dortmund dhe PSG

Vinicius hero dhe polemika në Lisbonë, Real Madridi mund Benfica-n, fitojnë edhe Dortmund dhe PSG

Real Madrid ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, pasi mposhti Benfican 1-0 në ndeshjen e parë të “play-off”-it të UEFA Champions League, në një duel të tensionuar në Lisbonë, shkruan Rekordi.net.

Heroi i mbrëmjes ishte Vinicius Junior, i cili realizoi golin e vetëm të takimit, por ishte edhe në qendër të vëmendjes pas një incidenti të dyshuar me përmbajtje raciste, që çoi në ndërprerjen e përkohshme të lojës.

Pjesa e parë e baraspeshuar

Takimi nisi me ritëm të kujdesshëm, ndonëse nuk munguan rastet. Kylian Mbappe rrezikoi i pari me një goditje të fuqishme nga distanca, por portieri Anatoliy Trubin reagoi saktë. Edhe Arda Güler provoi fatin, ndërsa në anën tjetër Tomas Araujo testoi Thibaut Courtois me një goditje me kokë.

Benfica pati rastin më të mirë të pjesës së parë me Fredrik Aursnes, por Courtois shpëtoi madrilenët me një pritje vendimtare. Deri në pushim, rrjetat mbetën të paprekura.

Magjia e Vinicius dhe ndërprerja e ndeshjes

Goli vendimtar erdhi në pjesën e dytë. Vinicius depërtoi nga krahu i majtë, kaloi në brendësi dhe me të djathtën realizoi një goditje të bukur në këndin e sipërm, duke i dhënë epërsinë kampionëve rekord të Evropës.

Pak minuta më vonë, braziliani raportoi një incident të dyshuar me përmbajtje raciste nga një lojtar i Benficës, çka detyroi arbitrin të ndalë përkohësisht ndeshjen për rreth 10 minuta. Loja rifilloi mes tensioneve të shumta.

Situata u tensionua edhe më shumë kur trajneri Jose Mourinho u ndëshkua me karton të kuq, në një mbrëmje të mbushur me polemika. Në minutat e fundit pati edhe hedhje objektesh nga tribuna drejt lojtarëve të Real Madridit.

Avantazh për “Los Blancos”

Pavarësisht kaosit në fushë dhe jashtë saj, Real Madridi arriti ta ruajë avantazhin minimal dhe do ta presë ndeshjen e kthimit në Madrid me epërsi të vlefshme.

Skuadra spanjolle synon të vazhdojë traditën e suksesshme në duelet me dy ndeshje në Evropë, ndërsa Benfica do të kërkojë përmbysjen në transfertë.

Fitojnë edhe Dortmund dhe PSG

Ndërkohë, hapin e parë për kualifikim në rundin tjetër të garave në elitën e futbollit evropian, e kanë bërë edhe Borussia Dortmund dhe PSG.

Skuadra gjermane mundi Atalantën, me rezultat 2-0, derisa parisienët në udhëtim përmbysen Monaco-n, me rezultat 3-2.

Ndeshjet kthyese luhen pas një javë. /Rekordi.net

Share This