
Verratti: Messi erdhi te PSG-ja pas darkës në Ibiza me Neymarin
Marco Verratti, mesfushori italian që aktualisht luan për Al-Duhail në Katar, ka zbuluar detaje interesante rreth transferimit të Lionel Messit te Paris Saint-Germain në verën e vitit 2021.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ai ka rrëfyer se gjithçka nisi në mënyrë të papritur gjatë një nate verore në Ibiza.
“Ishim në Ibiza dhe Neymar më tha se do të shkonim për darkë me Messin. Di Maria dhe Leandro Paredes ishin gjithashtu atje. Folëm, qeshëm, folëm për klubin, por asgjë nuk tregonte se do të ndodhte diçka,” rrëfeu Verratti.
“Të nesërmen, lindën problemet me Barcelonën dhe disa orë më vonë, Neymari më telefonoi dhe më tha se Messi do të vinte të luante me ne. Ishte magjike.”
Verratti, i cili qëndroi plot 11 sezone te PSG, hodhi poshtë zërat se ishte trajneri Luis Enrique ai që ndikoi në largimin e tij nga klubi parisien.
“Unë isha ai që kërkova të largohem. I shpreha dëshirën time për sfida të reja presidentit Al-Khelaifi,” u shpreh ai.
Duke folur edhe për ish-shokun e tij të skuadrës, Kylian Mbappé, i cili këtë verë iu bashkua Real Madridit, Verratti u shpreh i bindur për të ardhmen e francezit: “Herët a vonë, ai do ta fitojë ‘Topin e Artë’.”


