Vale sulmesh ajrore ruse ndaj Ukrainës, vriten 11 persona

Vale sulmesh ajrore ruse ndaj Ukrainës, vriten 11 persona

Rusia nisi një breshëri dronësh dhe raketash drejt Ukrainës gjatë natës, duke shënjestruar infrastrukturën energjitike dhe ndërtesa civile. Si pasojë, 11 persona mbetën të vrarë, mes të cilëve dy fëmijë, në qytetin verilindor të Kharkivit. 15 persona të tjerë mbetën të plagosur dhe 19 ndërtesa banimi u shkatërruan.

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia sulmoi edhe katër stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore, si dhe objekte portuale në rajonin e Odesës në jug të vendit.

Presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, i konsideroi sulmet të tmerrshme dhe iu bëri thirrje aleatëve të mos e ndërpresin mbështetjen ndaj Ukrainës.

“Rusia nuk i ka braktisur përpjekjet e saj për të shkatërruar infrastrukturën rezidenciale dhe kritike të Ukrainës, dhe për këtë arsye mbështetja duhet të vazhdojë”, tha Zelensky, transmeton tvklan.

Rusia mohoi të kishte shënjestruar zonat civile, pavarësisht pamjeve që vërtetonin sulme të tilla.

Ministria e Mbrojtjes në Moskë tha se forcat e saj kryen sulme masive gjatë natës ndaj komplekseve ushtarako-industriale të Ukrainës, aeroporteve ushtarake dhe objekteve energjetike.

Moska dhe Kievi kanë qenë të angazhuar në negociata trepalëshe nën ndërmjetësimin amerikan, por konflikti në Lindjen e Mesme i ka zbehur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në vitin e pestë të saj.

Share This