
Uran Ismaili: Barazia gjinore do të jetë shtyllë e qeverisjes time në Prishtinë
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur një tubim me gratë dhe vajzat e kryeqytetit, ku ka prezantuar zotimet e tij për një qeverisje lokale që garanton barazi gjinore dhe politika të drejta për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Ismaili theksoi se barazia gjinore nuk është vetëm kauzë e grave, por edhe e burrave, duke paralajmëruar zbatimin e parimit 50/50 në përfaqësimin gjinor brenda qeverisjes së tij.
“Gjatë kohës sime në Ministrinë e Shëndetësisë kam pasur 60% gra në kabinet dhe 40% burra. Ka qenë kabineti më i balancuar në energji, më produktivi dhe me më pak probleme,” kujtoi ai.
Në këtë takim, kandidati i PDK-së u zotua për politika konkrete që synojnë krijimin e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, përfshirë:
buxhetim gjinor,
më shumë çerdhe në kryeqytet,
hapësira për ndërmarrësi,
grante dhe subvencione për gratë,
si dhe mundësi të plota për pjesëmarrje në jetën publike.
“Qeverisja komunale që 25 vite nuk ka qenë e drejtë me 50% të popullsisë së vet, por tash është koha që këto padrejtësi të kthehen në mundësi për të gjitha gratë e Prishtinës,” tha Ismaili.


