Tusk: SHBA, të gatshme për të marrë pjesë në garancitë e Ukrainës

Tusk: SHBA, të gatshme për të marrë pjesë në garancitë e Ukrainës

Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur për herë të parë gatishmëri për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë pas luftës për Ukrainën.

Kjo mund të përfshijë praninë e trupave amerikane përgjatë vijës së kontaktit mes Ukrainës dhe Rusisë. Tusk e quajti këtë një nga rezultatet kryesore të ditëve të fundit, pas bisedimeve intensive mes liderëve evropianë, Kanadasë dhe takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai theksoi se paqja duket në horizont brenda javëve të ardhshme, por ende nuk është 100% e sigurt.

Ukraina mund të duhet të bëjë kompromise territoriale, por çdo vendim i tillë duhet të ketë miratimin e popullit ukrainas dhe të shoqërohet me garanci sigurie të forta dhe të besueshme.

Nga takimi i fundit Trump-Zelensky më 28 dhjetor në Mar-a-Lago u diskutua plani i paqes me rreth 20 pika.

Palët ranë pothuajse dakord për garancitë e sigurisë amerikane teksa SHBA ofron garanci për 15 vjet (Ukraina kërkon deri në 50), duke përfshirë monitorim dhe prani partnerësh.

Çështjet territoriale, sidomos Donbasi, mbeten ende të hapura. Plani është rreth 90% i dakordësuar.

Nga ana tjetër, Rusia ka deklaruar se çdo prani trupash të huaja në Ukrainë është e papranueshme.

Deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar publik nga Shtëpia e Bardhë ose Pentagoni për dërgimin e trupave amerikane.

Më herët, Trump e kishte përjashtuar këtë mundësi, por negociatat po zhvillohen me ritëm të shpejtë. /rtsh/

Share This