
Trump padit “Wall Street Journal”, kërkon 10 mld dollarë për publikimin e kartolinës në rastin “Epstein”
10 miliardë dollarë është shuma që presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar si dëmshpërblim në një padi që ka ngritur ndaj kompanisë mëmë të Wall Street Journal, Dow Jones, dhe pronarit të saj Rupert Murdoch, të cilët i akuzon për shpifje pasi gazeta publikoi një artikull për një koleksion me letra që ish-financierit Xhefri Epstein i ishte dhuruar në ditëlindjen e tij të 50-të në 2003-in. Mes tyre gjendej edhe një letër me emrin e Trump, ku ishte vizatuar trupi i një gruaje të zhveshur me një koment seksist.
“Sapo kemi dorëzuar një padi ndaj kujtdo që është përfshirë në publikimin e artikullit të rremë, dashakeq dhe shpifës në rreckën pa vlerë që është Wall Street Journal,” bëri të ditur Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Por një zëdhënës i Dow Jones u shpreh se kompania kishte besim të plotë në saktësinë e artikullit dhe do të mbrohej kundër çdo padie.
Padia e Trump ndaj Dow Jones dhe Murdoch u paraqit në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë, me urdhër të Trump, i kërkoi një gjykatësi të autorizonte publikimin e materialeve nga gjyqi që u mbajt kundër Epstein, i cili vrau veten në një burg të Nju Jorkut në 2019-ën, ndërsa ishte në pritje të gjyqit për akuza federale të trafikimit të qenieve njerëzore për përfitime seksuale.
Kjo pasi disa nga mbështetësit më besnikë të Trump kërkuan më shumë transparencë dhe publikim të materialeve që lidhen me Epstein, raporton rtsh.


