
Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv që u ndalon shteteve të zbatojnë rregulloret e tyre të IA-së
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon të bllokojë shtetet nga zbatimi i rregulloreve të tyre për inteligjencën artificiale (IA), sipas BBC.
“Ne duam të kemi një burim qendror miratimi”, u tha sot Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
Kjo do t’i japë administratës Trump mjetet për të avancuar me rregullat më “të vështira” shtetërore”, tha këshilltari i IA-së në Shtëpinë e Bardhë, David Sacks.
“Qeveria nuk do të kundërshtojë rregulloret e IA-së në lidhje me sigurinë e fëmijëve”, shtoi ai.
Ky vendim shënon një fitore për gjigantët e teknologjisë – të cilët kanë bërë thirrje për një legjislacion për IA-në – në të gjithë SHBA-në – pasi mund të ketë një ndikim të madh në qëllimin e Amerikës për të udhëhequr industrinë me zhvillim të shpejtë.
Shefat e kompanive të IA-së kanë argumentuar se rregulloret në nivel shtetëror mund të ngadalësojnë inovacionin dhe të pengojnë SHBA-në në garën e saj kundër Kinës për të dominuar industrinë, ndërsa kompanitë investojnë miliarda dollarë në teknologji.
“Ndërsa SHBA-ja, aktualisht nuk ka ligje kombëtare që rregullojnë IA-në, më shumë se 1,000 projektligje të veçanta për IA-në janë prezantuar në shtete në të gjithë SHBA-në”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
“Vetëm këtë vit, 38 shtete, përfshirë Kaliforninë, ku ndodhen shumë nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë, kanë miratuar rreth 100 rregullore për inteligjencën artificiale”, tha Konferenca Kombëtare e Legjislaturës Shtetërore.
Kritikët e urdhrit ekzekutiv të Trump kanë argumentuar se rregullat shtetërore janë të nevojshme në mungesë të mbrojtjeve kuptimplote në nivel federal.
Kompanitë e inteligjencës artificiale “OpenAI”, “Google”, “Meta” dhe “Anthropic” nuk kanë reaguar ende ndaj urdhrit ekzekutiv. Por, ky vendim u vlerësua nga grupi i lobimit të teknologjisë “NetChoice”. /atsh/


