
Trump në pikën më të dobët politike, mbështetja zbret në 31% para zgjedhjeve të 3 nëntorit
Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me nivelin më të ulët të mbështetjes gjatë dy mandateve të tij presidenciale, ndërsa pakënaqësia për ekonominë dhe rritjen e çmimeve të karburanteve po rrit presionin ndaj republikanëve vetëm pak javë para zgjedhjeve të rëndësishme të mesmandatit.
Sipas një sondazhi të publikuar nga Reuters/Ipsos, vetëm 31% e amerikanëve miratojnë mënyrën se si Trump po ushtron detyrën e presidentit, një rënie me një pikë krahasuar me matjen e mëparshme. Në të njëjtën kohë, demokratët kanë zgjeruar ndjeshëm avantazhin e tyre në preferencat elektorale kombëtare.
Sondazhi tregon se 47% e votuesve të regjistruar mbështesin demokratët për Kongresin, ndërsa vetëm 35% deklarojnë se do të votonin për republikanët. Diferenca prej 12 pikësh është më e madhja e regjistruar deri tani në këtë cikël zgjedhor dhe paraqet një sinjal alarmi për Partinë Republikane.
Vetëm dy javë më parë, demokratët kryesonin me shtatë pikë përqindjeje, duke marrë 44% të mbështetjes kundrejt 37% të republikanëve. Të dhënat e reja tregojnë se hendeku është zgjeruar më tej, kryesisht falë mbështetjes së lartë që demokratët gëzojnë te votueset femra. Sipas sondazhit, gjysma e grave të pyetura deklarojnë se do të votonin për demokratët, ndërsa vetëm 32% për republikanët.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto shifra pasqyrojnë tendencën kombëtare dhe jo domosdoshmërisht rezultatin në distriktet dhe shtetet që do të përcaktojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Ekonomia, pika më e dobët e Shtëpisë së Bardhë
Rënia e popullaritetit të Trump lidhet kryesisht me shqetësimet ekonomike. Sondazhi tregon se 68% e amerikanëve nuk e miratojnë mënyrën se si administrata po menaxhon ekonominë.
Pakënaqësia është rritur veçanërisht pas rritjes së çmimeve të karburanteve, të lidhura me tensionet dhe konfliktin ushtarak me Iranin pas operacioneve amerikano-izraelite të muajve të fundit. Rritja e kostove të jetesës ka goditur buxhetet familjare dhe është kthyer në një nga shqetësimet kryesore të votuesve.
Madje edhe brenda elektoratit republikan vihen re shenja pakënaqësie. Sipas të dhënave, 37% e republikanëve të vetëdeklaruar nuk miratojnë mënyrën se si presidenti po menaxhon ekonominë.
Demokratët duket se kanë fituar avantazh edhe në një nga fushat tradicionalisht më të forta për republikanët. Kur u pyetën se cila parti është më e aftë për të menaxhuar ekonominë, 40% e të anketuarve zgjodhën demokratët, ndërsa 33% republikanët.
Sfida vendimtare për Trumpin
Zgjedhjet e 3 nëntorit konsiderohen vendimtare për administratën Trump. Nëse republikanët humbasin kontrollin e njërës prej dy dhomave të Kongresit, avancimi i axhendës legjislative të presidentit gjatë viteve të mbetura të mandatit mund të bëhet shumë më i vështirë.
Sondazhi u realizua online mes 1 679 të rriturve amerikanë, prej të cilëve 1 279 janë votues të regjistruar. Marzhi i gabimit llogaritet rreth dy pikë përqindjeje për kampionin e përgjithshëm dhe tre pikë për votuesit e regjistruar.
Me më pak se dy javë deri në zgjedhje, rezultatet e fundit pasqyrojnë një klimë politike sfiduese për presidentin Trump dhe Partinë Republikane, ku ekonomia dhe kostoja e jetesës mbeten faktorët kryesorë që po ndikojnë në humorin e elektoratit amerikan. /rtsh/

