
Trump ndalon udhëtimet drejt SHBA për shtetasit nga 12 vende, kufizim i pjesshëm për 7 shtete të tjera
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës, që ndalon udhëtimet drejt SHBA-së nga 12 vende dhe kufizon pjesërisht hyrjen nga shtatë të tjera. Ky vendim përfaqëson një zgjerim të ndalimeve të udhëtimit të vendosura gjatë mandatit të tij të parë.
Sipas urdhrit ekzekutiv, shtetasit e Afganistanit, Myanmarit, Çadit, Republikës së Kongos, Guinesë Ekuatoriale, Eritresë, Haitit, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit do të përballen me ndalim të plotë të hyrjes në SHBA. Ndërkohë, shtetasit e Burundit, Kubës, Laosit, Sierra Leones, Togos, Turkmenistanit dhe Venezuelës do të përballen me kufizime të pjesshme.
Trump deklaroi se vendimi është marrë në bazë të politikës së jashtme, sigurisë kombëtare dhe masave kundër terrorizmit. Urdhri u nënshkrua më 20 janar, në ditën e parë të mandatit të tij të ri, dhe përfshinte një afat deri më 21 mars për përgatitjen e listës së vendeve.
Presidenti përmendi shqetësime të shumta, përfshirë rrezikun nga vizitorë të pakontrolluar dhe ata që qëndrojnë përtej afatit të vizës. Megjithatë, kritikët, përfshirë avokatë dhe ekspertë, e konsiderojnë masën diskriminuese dhe të dëmshme për komunitetet emigrante, pasi rrezikon të ndajë familje dhe të godasë komunitetet amerikane nga Haiti, Kuba dhe Venezuela.
Ndalimi vjen në kuadër të një vale të re politikash të ashpra për imigracionin, përfshirë bllokimin e kërkesave për azil në kufirin jugor dhe heqjen e statusit të mbrojtjes së përkohshme për emigrantët nga vende me kriza humanitare.
Trump ka nënshkruar gjithashtu një urdhër që kufizon vizat për studentët e huaj në universitetin e Harvardit, duke urdhëruar kontrolle të rrepta të mediave sociale për aplikantët.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Trump tha se veprimi ishte përgjigje ndaj një sulmi të fundit në Boulder, Kolorado, ku një shtetas egjiptian sulmoi një aktivitet në mbështetje të pengjeve izraelite. Ai deklaroi se lista e vendeve është subjekt i rishikimit dhe mund të zgjerohet nëse shfaqen kërcënime të reja në të ardhmen. /rtsh/

