
Trump mbledh Kabinetin në “Camp David”, Teherani kërcënon me hakmarrje pas sulmeve të SHBA
Të mërkurën, presidenti Donald Trump pritet të mbajë një takim të rrallë të kabinetit në rezidencën presidenciale Camp David, duke mbledhur zyrtarët e lartë të vendit në një moment me rreziqe të larta për luftën e SHBA-së me Iranin. Bisedimet rreth një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Teheranin janë intensifikuar ditët e fundit, ndërsa Trump kërkon një memorandum mirëkuptimi për të ndalur luftën, rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të vijuar negociatat mbi programin bërthamor iranian.
Ndërkohë Irani akuzoi Shtetet e Bashkuara për shkelje të armëpushimit të martën dhe paralajmëroi se ishte gati të hakmerrej pas sulmeve ajrore amerikane gjatë natës që shënjestruan objektet e lëshimit të raketave dhe anijet iraniane që vendosnin mina rreth Ngushticës se Hormuzit. Garda Revolucionare tha se ka të drejtë legjitime për t’iu përgjigjur çdo shkeljeje të armëpushimit pasi ushtria amerikane tha se kreu sulme vetëmbrojtëse.
Teherani tha se forcat e saj kishin rrëzuar një dron amerikan që kishte hyrë në hapësirën e tij ajrore dhe kishin qëlluar një avion luftarak F-35. Në një deklaratë për festën e Kurban Bajramit, Lideri Suprem i Teheranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, deklaroi se Uashingtoni po humbiste ndikimin e tij në Lindjen e Mesme dhe paralajmëroi vendet e Gjirit të mos mbronin bazat amerikane nga të cilat SHBA mund të rifillonte sulmet ndaj Iranit.
“Shtetet e Bashkuara, tha ai në një deklaratë me shkrim, – përveçse nuk kanë më asnjë strehë të sigurt në rajon për sulme dhe për baza ushtarake, po largohen gjithnjë e më shumë nga statusi i tyre i mëparshëm me çdo ditë që kalon”. Por ndërsa shtohet frika për një përshkallëzim të ri, media shtetërore iraniane raportoi se delegacioni i Teheranit u rikthye në vend pas takimeve me ndërmjetësit në Doha të Katarit, ndërsa bisedimet për armëpushim mes dy palëve vazhdojnë. /rtsh/

