
Trump i nënshtrohet një kontrolli mjekësor
Presidenti amerikan, Donald Trump do t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor më 26 maj në spitalin ushtarak “Walter Reed Military Hospital” pranë Uashingtonit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Sipas njoftimit, presidenti Trump do të kryejë “kontrolle rutinë vjetore dentare dhe mjekësore si pjesë e kujdesit të rregullt parandalues për shëndetin”.
Në tetor, mjeku Sean Barbabella deklaroi se presidenti kishte zemrën dhe sistemin vaskular të një 65-vjeçari, megjithëse Trump është aktualisht 79 vjeç.
Kontrolli i fundit i plotë mjekësor i presidentit ishte kryer në prill të vitit 2025.
Në SHBA, presidentët zakonisht publikojnë informacione mbi gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa në muajt e fundit ka pasur spekulime të vazhdueshme për shëndetin e presidentit Trump pas publikimit të fotografive ku në duart e tij shfaqeshin mavijosje dhe këmbë të ënjtura.
Trump, i cili mbush 80 vjeç në qershor, i ka shpjeguar mavijosjet si pasojë e shtrëngimeve të shumta të duarve, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se ato lidhen edhe me përdorimin e medikamenteve holluese të gjakut.
Në korrik, administrata presidenciale njoftoi se Trump vuan nga insuficienca kronike venoze, një gjendje e zakonshme e venave të këmbëve që haset kryesisht tek personat e moshuar dhe që konsiderohet jo e rrezikshme. /atsh/

