Trump anulon misionin diplomatik në Pakistan: Nuk ka më fluturime 18-orëshe për asgjë

Trump anulon misionin diplomatik në Pakistan: Nuk ka më fluturime 18-orëshe për asgjë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar anulimin e papritur të dërgimit të emisarëve të lartë amerikanë në Pakistan, ku ishte parashikuar një raund i ri negociatash me palën iraniane. Përmes një komunikimi në rrjetet sociale dhe një interviste për Fox News, Presidenti bëri të ditur se ka udhëzuar negociatorët Steve Witkoff dhe Jared Kushner që të ndërpresin udhëtimin drejt Islamabadit.

Ky vendim vjen vetëm 24 orë pasi Shtëpia e Bardhë kishte konfirmuar zyrtarisht nisjen e këtij misioni diplomatik, duke shënuar një kthesë të fortë në qasjen e administratës ndaj dialogut me Teheranin.

Gjatë një interviste telefonike për Fox News, Presidenti u shpreh i prerë mbi arsyet e këtij anulimi, duke vënë në dyshim efikasitetin e bisedimeve të deritanishme.

“U thashë negociatorëve: Nuk do të bëni më fluturime 18-orëshe duke ndenjur ulur e duke folur për asgjë”, deklaroi ai, duke shtuar me bindje se në këto negociata, pala amerikane “ka të gjitha kartat në dorë”.

Sipas Presidentit, SHBA-ja nuk ka më interes të ndjekë një proces që e konsideron humbje kohe, duke u lënë hapësirë iranianëve që të hedhin hapin e radhës: “Ata mund të na telefonojnë kur të duan”, nënvizoi ai.

Paqartësia mbi udhëheqjen iraniane

Një tjetër element që ka ndikuar në këtë vendim duket se është perceptimi i Uashingtonit mbi paqëndrueshmërinë politike në Teheran. Presidenti përsëriti skepticizmin e tij mbi hierarkinë e pushtetit në Republikën Islamike, duke shkruar në rrjetet sociale se “askush nuk e di se kush është në krye” atje.

Ky zhvillim pason njoftimet nga Pakistani se Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ishte larguar tashmë nga Islamabadi pa realizuar asnjë takim me zyrtarët amerikanë, gjë që sugjeron një ngërç të thellë në procesin e ndërmjetësimit të udhëhequr nga Pakistani.

Reagimet dhe pasojat

Anulimi i udhëtimit të Witkoff dhe Kushner shihet si një sinjal i rikthimit të politikës së “presionit maksimal” dhe një dëshmi se Uashingtoni po kërkon kushte të reja, më strikte, përpara se të ulet sërish në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë, Islamabadi zyrtar, i cili po investonte kapital diplomatik si ndërmjetës, gjendet përballë një situate ku të dyja palët kanë forcuar qëndrimet e tyre, duke e bërë rrugën drejt një marrëveshjeje të re më të pasigurt se kurrë. /rtsh/

Share This