
Tronditet Napoli, Conte humb Rrahmanin dhe Politanon para Champions-it
Nuk ka qetësi te Napoli, ku emergjenca e lëndimeve vazhdon të thellohet, pavarësisht fitores ndaj Sassuolos pas tri barazimeve radhazi, raportojnë mediet italiane, shkruan Rekordi.net.
Trajneri Antonio Conte përballet me probleme serioze fizike në skuadër, pasi ka humbur edhe tre lojtarë të tjerë gjatë kësaj ndeshjeje.
Elif Elmas, Amir Rrahmani dhe Matteo Politano kanë shtuar shqetësimet për stafin teknik. Më problematik paraqitet lëndimi i mbrojtësit kosovar Amir Rrahmani, i cili u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një problemi muskulor dhe u zëvendësua nga Buongiorno.
Situata nuk ishte më e mirë as për Politano, i cili u lëndua në momentin kur Conte kishte kryer të gjitha ndërrimet.
Si pasojë, ai u detyrua të qëndrojë në fushë vetëm sa për të plotësuar numrin e lojtarëve, pa qenë në gjendje optimale për të vazhduar lojën.
Sa i përket Elmasit, gjendja e tij nuk konsiderohet shqetësuese, por lëndimet e Rrahmanit dhe Politano kanë ngritur alarmin te Napoli, veçanërisht në prag të sfidës së rëndësishme të Champions League që luhet të martën në mbrëmje.
Për më tepër, mbetet për t’u vlerësuar edhe situata e David Neres, i cili nuk ishte as në stol për ndeshjen ndaj Sassuolos, duke shtuar edhe më shumë paqartësi rreth gjendjes fizike të skuadrës napolitane. /Rekordi.net


