Tragjedia në Nepal/ Mbi 600 punëtorë hidrocentrali të bllokuar në tunele, ekipet e shpëtimit kryejnë shpërthime me eksplozivë

Tragjedia në Nepal/ Mbi 600 punëtorë hidrocentrali të bllokuar në tunele, ekipet e shpëtimit kryejnë shpërthime me eksplozivë

Shpresa për të gjetur të mbijetuar mbetet e gjallë në Nepal, ku më shumë se 600 punëtorë dyshohet se janë bllokuar në një rrjet të gjerë tunelesh të mbushur me baltë, përgjatë lumit Trishuli. Ekipet e shpëtimit vijuan operacionet edhe ditën e djeshme (31 gusht), në një garë me kohën për të arritur tek personat që besohet se ndodhen ende brenda tuneleve.

Për të hapur rrugën, ekipet kanë përdorur eksplozivë për të çarë shpatin e kodrës, ndërsa më pas kanë tentuar të fusin ajër në zonën e projektit hidroenergjetik Trishuli-3A. Shpëtimtarët druhen se koha në dispozicion për të gjetur të mbijetuarit po ngushtohet. Operacioni i shpëtimit zhvillohet në një kohë kur përmasat e katastrofës në kufirin Nepal-Tibet vazhdojnë të rriten. Sipas autoritetit të menaxhimit të fatkeqësive në Nepal, numri i viktimave ka arritur në 939, ndërsa numri i personave të zhdukur është rishikuar në 3,925. Mes të zhdukurve janë edhe 592 shtetas të huaj.

Afërsisht një në shtatë persona të raportuar të zhdukur besohet se është punëtor në sektorin e hidrocentraleve. Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, deklaroi të hënën se 279 persona janë shpëtuar nga zonat e prekura. Përpjekjet për gjetjen e të mbijetuarve po zhvillohen me pjesëmarrjen e një ekipi ndërkombëtar. Operacioni drejtohet nga personel ushtarak kinez dhe nepalez, ndërsa në terren janë angazhuar gjithashtu ekspertë dhe ekipe nga India, Koreja e Jugut dhe Australia. /rtsh/

Share This