
Terry rrëfen makthin pas gabimit në finalen e Champions-it 2008
Një gabim i vetëm mund të përcaktojë karrierën e një sportisti.
John Terry, legjenda e Chelsea, është kthyer të flasë hapur mbi momentin që e përndjek ende: finalen e Ligës së Kampionëve 2008 në Moskë kundër Manchester United.
Gjatë serisë së penalltive, Terry rrëshqiti ndërsa gjuante penalltinë vendimtare që mund t’u kishte dhënë “bluve” trofeun, duke goditur shtyllën në të djathtë të Van Der Sar.
Në një intervistë për podkastin Reece Mennie, qendërmbrojtësi anglez tregoi pasojat psikologjike të asaj nate.
“Ndonjëherë zgjohem në mes të natës dhe e kuptoj se ka ndodhur vërtet. Ende mendoj për atë moment dhe atë ndeshje. Mbaj mend që tre ose katër ditë pas finales shkuam në një kamp stërvitor me Anglinë. Të ulesha në tavolinë me lojtarët e United ishte gjëja më e keqe ndonjëherë. Madje shënova edhe kundër SHBA-së. Ndërsa po hyja brenda, po mendoja me vete: ‘Pse nuk mund ta ndërroj këtë gol me atë gabim?’”, tha Terry.
Ai rrëfeu gjithashtu se ishte aq i hutuar pas ndeshjes saqë mendoi veprime ekstreme.
“Mendova të hidhesha nga kati i 25-të i hotelit. Duke parë prapa, do të doja të kisha folur me një specialist në atë moment. Kur u kthyem pas ndeshjes, mendova: ‘Pse unë? Isha në katin e 25-të, nuk po them se do të isha hedhur… por shumë gjëra të kalojnë nëpër mendje në atë moment: hedhja ishte një prej tyre. Shokët e mi të ekipit erdhën tek unë dhe më siguruan. Por ishte një nga ato momente kur mendova: ‘Po sikur…?’”, theksoi ikona e ‘Bluve’ të Londrës.
Deklaratat e Terry-s tregojnë ndikimin psikologjik që mund të ketë një gabim vendimtar në një finale të rëndësishme dhe rëndësinë e mbështetjes së shokëve dhe ekspertëve pas ngjarjeve të tilla.

