
Të akuzuarit për rastin e sulmit terrorist në Banjskë sërish para gjyqit
Po vazhdon gjykimi në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nën masa të rrepta sigurie, tre të akuzuarit për rastin Banjska, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maskimoviq, kanë dalë sërish para gjykatës. Në këtë seancë, mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar që për këtë rast të dëgjohen edhe nëntë dëshmitarë të tjerë.
Kjo është kundërshtuar nga prokurori i rastit, me arsyetimin se kjo përbën zvarritje të procesit, ndërsa ka shtuar se dymbëdhjetë dëshmitarë janë dëgjuar. I njëjti ka propozuar që kërkesa për dëgjimin e dëshmitarëve shtesë të refuzohet nga trupi gjykues.
Edhe avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, e ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve, pasi sipas tij kjo po bëhet veç sa për të krijuar alibi.
Kërkesën e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve e kanë kundërshtuar edhe avokatët e tjerë të palëve të dëmtuara, të cilët këtë kërkesë e kanë cilësuar si tentim për prolongim të procedurës.


