
Spektakël i garantuar në “Old Trafford”
Manchester United do të presë Real Sociedad për Europa League, në një takim që premton spektakël të enjten në mbrëmje në Old Trafford, ofruar për teleshikuesit në Shqipëri nëpërmjet ekranit të Radio Televizionit Shqiptar. Ndeshja e parë midis tyre përfundoi në barazim 1-1, çka i lë të hapura mundësitë për secilën prej skuadrave, edhe pse vendasit janë favoritë, duke parë ecurinë e tyre në këtë kompeticion. United ka zhgënjuer në Premier League, por është i pamposhtur në Europa Legue këtë sezon, me pesë fitore e katër barazime.
Old Trafford nuk është më fortesa e dikurshme, megjithatë Djajtë e Kuq janë të vështirë për t’u thyer atje, ku kanë humbur vetëm një takim në 28 ndeshjet e fundit në Europa League, dhe kundërshtari ka qenë pikërisht Real Sociedad, në shtator 2022. Ndërkaq, edhe Sociedad ka qenë zhgënjyes në kampionat, ku humbja me Seviljen në javën e fundit e lë në vendin e 11-të dhe praktkisht jashtë kupave të Evropës për sezonin e ardhshëm.
Spanjollët nuk fitojnë prej katër ndeshjesh në të gjitha kompeticionet, me një barazim e tri humbje. Sigurisht që Sociedad do të bëjë gjithçka për të arritur çerekfinalen e parë në Europa League që nga viti 1989, aq më tepër që Manchester United vetëm një herë nuk ka pësuar gol në shtatë ndeshjet e fundit të Europa League në Old Trafford, në të cilat ka arritur pesë fitore e dy barazime.