Spanja ngjitet në majën e FIFA-s, bie Argjentina

Spanja ngjitet në majën e FIFA-s, bie Argjentina

Pas triumfit në Kupën e Botës 2026, Spanja është rikthyer në krye të renditjes botërore të FIFA-s, duke lënë pas Argjentinën dhe duke konfirmuar dominimin e saj në futbollin ndërkombëtar.

FIFA ka publikuar klasifikimin e ri të kombëtareve pas përfundimit të turneut, me kampionët e botës që tashmë mbajnë vendin e parë me 1995.88 pikë. Suksesi në Botëror i ka sjellë “La Rojas” një rritje prej 121.17 pikësh, më shumë se çdo përfaqësuese tjetër në këtë përditësim.

Argjentina, e cila humbi finalen ndaj Spanjës, zbret në pozitën e dytë, ndërsa Franca renditet e treta. Në top-pesëshe vazhdojnë të jenë edhe Anglia në vendin e katërt dhe Brazili në pozitën e pestë.

Një nga ngjitjet më të mëdha i takon Marokut, që pozicionohet në vendin e gjashtë, duke regjistruar renditjen më të mirë në historinë e saj. Dhjetëshja e parë kompletohet nga Portugalia, Belgjika, Holanda dhe Meksika.

Ndryshimet më të mëdha në klasifikim u regjistruan te Norvegjia dhe Tunizia. Përfaqësuesja norvegjeze ishte skuadra me përparimin më të madh, duke u ngjitur 12 pozita në renditje, ndërsa Tunizia pësoi rënien më të madhe duke humbur po ashtu 12 vende.

Në aspektin e pikëve, Panamaja ishte kombëtarja që pësoi humbjen më të madhe, duke zbritur me 60.74 pikë në klasifikimin e ri të FIFA-s.

Renditja e fundit pasqyron ndikimin e madh të Kupës së Botës 2026 në hierarkinë e futbollit botëror, me Spanjën që rikthehet në fron dhe disa përfaqësuese që shënojnë përparime historike pas paraqitjeve të tyre në turneun më prestigjioz ndërkombëtar.

Share This