Sot përpjekja e 32-të e konstituimit të Kuvendit

Sot përpjekja e 32-të e konstituimit të Kuvendit

Sot sërish për herë të 32-të do të mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

Kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari në seancën e së premtes ftoi sërish përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-Nismën Socialdemokrate, që ta bëjnë këtë. Por, nga subjektet e lartpërmendura nuk u deklarua askush.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

Me 47 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kryesuesi i seancës paralajmëroi vazhdimin e saj të dielën, më 15 qershor, në orën 11:00.

Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe po vazhdon pa asnjë rezultat për shkak edhe të pamundësisë për të krijuar Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, raporton RTKlive.

Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.

Share This