S’ka marrëveshje për presidentin, vendi drejt zgjedhjeve të reja

S’ka marrëveshje për presidentin, vendi drejt zgjedhjeve të reja

Kosova pritet të shkojë sërish në zgjedhje të reja, pasi partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa afati kushtetues po shkon drejt fundit.

Kryeministri dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të zhbllokuar situatën, por pa sukses.

Pas takimit, Abdixhiku deklaroi se nuk do të ketë më takime me LVV-në për këtë çështje, duke e konsideruar procesin të mbyllur nga ana e LDK-së. Ai theksoi se për 53 ditë nuk është arritur asnjë zgjidhje dhe se insistimi i LVV-së që presidenti t’i takojë kësaj partie ka pamundësuar kompromisin.

“LDK e konsideron të mbyllur këtë çështje. Nuk ka kuptim të vazhdojmë takimet pa asnjë ndryshim qëndrimi”, u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se vendi duhet të përgatitet për zgjedhje të reja dhe se partia e tij do të fokusohet në bashkimin e së djathtës.

Në anën tjetër, Kurti bëri të ditur se i kishte ofruar LDK-së fillimisht bashkëqeverisje me postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, e më pas edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit përmes një rokade institucionale, por këto oferta u refuzuan.

Sipas tij, LVV ka qenë e gatshme për kompromis, por mungesa e propozimeve konkrete nga opozita për një kandidat konsensual për president ka bllokuar procesin. Kurti theksoi se, nëse nuk ka ndryshim në ditët e mbetura, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kritikoi ofertat e Kurtit, duke i cilësuar si joserioze dhe jokushtetuese, ndërsa vlerësoi se veprimet e tij kanë shkuar në drejtim të dërgimit të vendit në zgjedhje të reja.

PDK ka theksuar se kishte shprehur gatishmëri për të mbështetur një kandidat konsensual, por sipas saj mungesa e vullnetit politik nga pushteti ka penguar zgjidhjen e situatës.

Në këto rrethana, me afatin kushtetues që po afrohet dhe pa një marrëveshje ndërmjet partive kryesore, skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme po bëhet gjithnjë e më i mundshëm. /RTK/

Share This