
Shpërthen makina pranë fortesës së kuqe në Delhi, humbin jetën 8 persona
Të paktën tetë persona humbën jetën mbrëmjen e së hënës pasi një makinë shpërtheu pranë Fortesës së Kuqe, një nga monumentet më të njohura historike në kryeqytetin indian, Delhi.
Komisioneri i policisë së Delhit tha se shpërthimi ndodhi në orën 18:52 me orën lokale (13:22 GMT), kur një automjet që lëvizte ngadalë u ndal në semafor dhe më pas shpërtheu. Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar mbi shkakun e shpërthimit.
Fortesa e Kuqe, një monument i shekullit të 17-të dhe një atraksion i madh turistik, vizitohet çdo ditë nga mijëra njerëz. Ajo ndodhet vetëm pak metra larg një qendre të ngarkuar tregtare. Autoritetet kanë njoftuar se Fortesa do të qëndrojë e mbyllur për tre ditë, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, po kryeson një takim të nivelit të lartë të sigurisë mëngjesin e së martës me zyrtarë të lartë të qeverisë. Shah dhe zyrtarë të tjerë kanë deklaruar se “po shqyrtohen të gjitha mundësitë” për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.

