
SHBA-të pezullojnë kërkesat për emigracion për shtetasit afganë pas të shtënave ndaj Gardës Kombëtare
SHBA-të kanë pezulluar përpunimin e të gjitha kërkesave për emigracion për shtetasit afganë në pritje të një shqyrtimi të “protokolleve të sigurisë dhe verifikimit”, njoftuan Shërbimet e Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së.
Në një postim në X, agjencia tha: “Mbrojtja dhe siguria e atdheut tonë dhe e popullit amerikan mbetet fokusi dhe misioni ynë i vetëm.”
Vendimi vjen pasi dy ushtarë të Gardës Kombëtare u plagosën rëndë pas tw shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë. Personi i dyshuar i armatosur ishte një shtetas afgan që hyri në SHBA në shtator 2021.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se sulmi ishte një “akt terrori”, duke shtuar se do të ndërmerrte hapa për të larguar të huajt “nga çdo vend që nuk i përket këtu”.
Dhjetëra mijëra afganë hynë në SHBA nën mbrojtje të posaçme për emigracion pas tërheqjes kaotike të SHBA-së nga vendi në vitin 2021 nën ish-Presidentin Joe Biden.
Burime të shumta të zbatimit të ligjit më parë e identifikuan personin e dyshuar të armatosur përCBS, si Rahmanullah Lakanwal, një shtetas afgan 29-vjeçar që hyri në vend në kuadër të programit të quajtur Operacioni “Mirë se vini aleatë”.
Në një deklaratë pas të shtënave, Trump tha se SHBA-të “tani duhet të rishqyrtojnë çdo të huaj që ka hyrë në vendin tonë nga Afganistani nën Bidenin”.
Urdhri i fundit vjen pas një ndalimi udhëtimi në SHBA të vendosur nga Trump për shtetasit e Afganistanit dhe 11 vendeve të tjera në fillim të këtij viti.
Shtetasit afganë që mbajnë Viza Speciale Emigracioni, të disponueshme për ata që punuan drejtpërdrejt me ushtrinë amerikane përpara se talebanët të merrnin përsëri kontrollin e vendit në vitin 2021, ishin ndër disa përjashtime nga ndalimet gjithëpërfshirëse.
Në fillim të këtij viti, Trump gjithashtu përfundoi një program që u dha mbrojtje deportimi mijëra njerëzve nga Afganistani.
Programi i statusit të përkohshëm të mbrojtur u lejonte emigrantëve të merrnin leje pune nëse qeveria amerikane e konsideronte të pasigurt për ta që të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës për shkak të luftës. /rtsh/

