
ShBA shet superjahtin rus të sekuestruar, vlera e tij 325 milionë dollarë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shesin në ankand jahtin luksoz Amadea me vlerë 325 milionë dollarë (235 milionë euro), që është shitja e parë e një superjahti rus të sekuestruar pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.
Ankandi, që përfundon më 10 shtator, po mbahet ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump përpiqet të rrisë presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin për të përfunduar luftën. SHBA kanë njoftuar se bashkëpunojnë me aleatët për të ushtruar presion ndaj oligarkëve rusë – disa prej të cilëve janë të afërt me Putin dhe të cilëve u janë sekuestruar superjahtet – për të tentuar ta detyrojnë atë të ndalojë luftën.
Jahti, i gjatë 106 metra, i sekuestruar tre vjet më parë dhe ankoruar në San Diego, u ndërtua në vitin 2017 nga kompania gjermane Lurssen me porosi. Jahti ka një enterier me shumë mermer, tetë kabina të bollshme, sallon bukurie, qendër spa, palestër, heliport, pishinë dhe ashensor. Mund të strehojë 16 mysafirë dhe 36 anëtarë ekuipazhi.
Përcaktimi i pronësisë së vërtetë të Amadeas ka qenë i diskutueshëm për shkak të rrjedhës së paqartë të fondeve dhe kompanive Shell. Superjahti është regjistruar në Ishujt Kajman dhe është në pronësi të kompanisë Milemarin Investments Ltd., gjithashtu me seli në Kajman.
SHBA pretendojnë se pronari i jahteve është Sulejman Kerimov, ekonomist dhe ish-politikan rus, i cili u vendos nën sanksione në vitin 2018 për pastrim parash. Ndërkaq, Eduard Hudainatov, ish-president dhe drejtor i përgjithshëm i kompanisë shtetërore ruse të naftës dhe gazit Rosneft, që nuk është nën sanksione, ka pretenduar se është pronar i jahteve, raporton ap.


