
SHBA paralajmëron sanksionet më të ashpra ndaj Iranit
Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin gjatë orëve të ardhshme një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, të cilat sipas Shtëpisë së Bardhë pritet të jenë ndër më të ashprat deri më tani.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se masat e reja do të godasin rëndë ekonominë iraniane dhe do të synojnë ndërprerjen e linjave ekonomike të Teheranit, duke prekur edhe vendet që vazhdojnë të kenë marrëdhënie tregtare me Iranin.
Në pritje të shpalljes së sanksioneve, monedha iraniane, rial-i, ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, ndërsa ekonomistët paralajmërojnë se zhvlerësimi mund të vazhdojë.
Ndërkohë, Teherani ka ashpërsuar kërcënimet ndaj anijeve që synojnë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se çdo anije që tenton të kalojë pa lejen e Iranit mund t’i nënshtrohet kontrolleve, ndalimit apo edhe konfiskimit.
Pavarësisht tensioneve në rritje, raportohet se diplomatët e vendeve ndërmjetësuese kanë intensifikuar përpjekjet diplomatike, me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje që do të ulte tensionet mes palëve. /rtk/

