SHBA gati të mbështesë një plan sigurie për Ukrainën pas luftës, përfshirë inteligjencë dhe mbrojtje ajrore

SHBA gati të mbështesë një plan sigurie për Ukrainën pas luftës, përfshirë inteligjencë dhe mbrojtje ajrore

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë mbështetje strategjike për një plan sigurie të udhëhequr nga vendet evropiane për Ukrainën pas përfundimit të luftës.

Sipas një raportimi të Financial Times, Uashingtoni ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar me burime të avancuara të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe mbrojtjes ajrore, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme sigurie mes Perëndimit dhe Ukrainës.

Plani përfshin krijimin e një zone të çmilitarizuar në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila mund të patrullohet nga forca paqeruajtëse neutrale, të pranuara nga të dyja palët.

Përtej saj, kufiri do të mbrohet nga forcat ukrainase të pajisura dhe trajnuara nga NATO.

Në vijën e tretë të mbrojtjes, më në brendësi të territorit ukrainas, parashikohet vendosja e një force parandaluese të udhëhequr nga Evropa.

Zyrtarë të lartë amerikanë u kanë komunikuar homologëve evropianë dhe ukrainas se SHBA është e gatshme të kontribuojë me “mundësues strategjikë”, përfshirë: inteligjencë, mbikëqyrje dhe zbulim, komandë dhe kontroll, si dhe asete të mbrojtjes ajrore, për të mbështetur çdo vendosje në terren të udhëhequr nga Evropa.

Kjo qasje synon të garantojë një siguri afatgjatë për Ukrainën, duke shmangur rindezjen e konfliktit dhe duke vendosur një arkitekturë mbrojtëse solide në rajon.

Një “koalicion i të gatshëmve”, i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, po përgatit një plan të gjerë për mbrojtjen e Ukrainës pas përfundimit të luftës me Rusinë, ndërkohë që roli i SHBA-së mbetet thelbësor për garantimin e sigurisë në terren.

Financial Times raporton se vendosja e trupave evropiane në Ukrainë mund të bëhet vetëm me mbështetjen logjistike, inteligjente dhe teknologjike të Shteteve të Bashkuara.

Uashingtoni aktualisht furnizon Ukrainën me sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot, por në fazën pas përfundimit të luftës, ndihma do të zgjerohet me avionë amerikanë, logjistikë tokësore, radarë dhe mbështetje për një zonë ndalim-fluturimi të imponuar nga Evropa, përfshirë një mburojë ajrore për Kievin.

Sipas burimeve të FT, SHBA-ja nuk pritet të vendosë trupa të saj në territorin ukrainas, por do të kontribuojë me “aftësi mundësuese strategjike” – si mbikëqyrje satelitore, inteligjencë, komandë dhe kontroll – për të monitoruar armëpushimin dhe koordinuar veprimet e forcave evropiane në Ukrainë.

Këto diskutime janë zhvilluar së fundmi në takime mes zyrtarëve të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe vendeve evropiane.

Mbështetja amerikane mbetet e kushtëzuar nga angazhimi konkret i kryeqyteteve evropiane për të vendosur dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë.

Sakaq, administrata Trump, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth – shfaqet e rezervuar për përfshirje më të thellë, nga frika e përfshirjes së SHBA-së në një konflikt të ardhshëm.

Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, konfirmoi detajet e raportuara, duke theksuar se kontributi i secilit vend do të jetë i ndryshëm dhe do të kombinojë mbështetje ushtarake, politike dhe ekonomike.

Diskutimet aktualisht janë përqendruar rreth strukturimit të katër apo pesë brigadave të përbashkëta.

Yermak theksoi se ky zhvillim sinjalizon një përfshirje më të strukturuar të aleatëve në mbështetjen e Ukrainës, përtej ndihmës së deritanishme, dhe se çdo shtet do të kontribuojë në forma të ndryshme – ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht. /rtsh/

Share This