
Serweri qëndron 40 minuta te Thaçi, thotë se Specialja ka humbur rrugën
Profesori amerikan dhe eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se dje është takuar me ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, pasi ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke u zhvilluar një proces gjyqësor.
Serwer ka theksuar në një shkrim autorial të titulluar “Një gjykatë që ka humbur rrugën” se me Thaçin ka biseduar për 40 minuta të plota në qendrën e paraburgimit të Hagës, në seksionin ndërkombëtar të burgut holandez.
Ai ka pohuar se Thaçin e ka një mik të kahmotshëm, ndonëse ndonjëherë kanë pasur qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara.
“Dje kalova 40 minutat e mia të caktuara me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në seksionin ndërkombëtar të burgut holandez në Hagë. Doja të ripërtërija një miqësi të vjetër. Dihet mirë në Kosovë se unë dhe ai patëm një grindje pak para se ai të shkonte vullnetarisht në Hagë për t’u gjykuar”, ka thënë Serwer.
Ai shtoi se nuk do të japë më shumë detaje për bisedën, por theksoi se Thaçi gjithmonë ka respektuar mendimet dhe qëndrimet e tij.
“Kujdes. Nëse po kërkoni një informacion interesant për atë që më tha Hashimi, mos lexoni më tej. Bisedat tona ishin gjithmonë private në të kaluarën, dhe edhe kjo do të jetë. Përveç zyrtarit të burgut që u ul për të dëgjuar në përputhje me rregullat. Do ta respektoj konfidencialitetin e asaj që tha Hashimi. Por ai gjithmonë e respektoi të drejtën time për të thënë atë që dua në publik. Jam i sigurt se ai do ta bëjë akoma”.
Po ashtu, Serwer ka deklaruar se është takuar edhe me zëdhënësin e Dhomave të Specializuara të Hagës, Michael Doyle, për të parë nga afër se si është realiteti atje.
“Gjithashtu doja të kuptoja më mirë realitetin pas gjykatës së Dhomave të Posaçme të Kosovës që po zhvillon gjyqin e tij. Kështu që u takova edhe me zëdhënësin e gjykatës, Michael Doyle. E njoh Michaelin nga shërbimi i tij i shkëlqyer me HiRep Inzko në Bosnjë”. /Klankosova.tv


