Sekretari amerikan: Veprimet e Dodikut kërcënojnë stabilitetin e Bosnjës

Sekretari amerikan: Veprimet e Dodikut kërcënojnë stabilitetin e Bosnjës

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka reaguar ndaj veprimeve të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, duke i cilësuar ato si kërcënim për institucionet e Bosnjë-Hercegovinës dhe për stabilitetin e saj.

Në një postim në platformën X, Rubio theksoi se veprimet e Dodikut po minojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

“Veprimet e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Kombi ynë inkurajon liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, ka shkruar Rubio, raporton rtk.

Veprimet e fundit të Dodikut, përfshirë kërcënimet për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina, kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare. Ambasada e SHBA-së në Sarajevë ka deklaruar se do të kundërshtojë çdo veprim që cenon Marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.

Share This