
Samiti me Putin, Trump mbërrin në Alaskë
Air Force One, avioni me të cilin udhëton Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka mbërritur në Anchorage të Alaskës, ku do të zhvillohet takimi me Presidentin rus, Vladimir Putin. Disa nga aleatët më të ngushtë të presidentit amerikan, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff dhe drejtori i CIA-s John Ratcliffe, i janë bashkuar atij në këtë takim, një përpjekje për të ndërmjetësuar paqen në luftën Rusi-Ukrainë.
Avioni i presidentit rus pritet të mbërrijë pas disa minutash. Trump pritet të takohet me Putin në bazën Elmendorf-Richardson, duke shënuar ndërveprimin e parë ballë për ballë të dy udhëheqësve që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë.
Trump i ka bërë të qarta qëllimet për këtë takim, duke deklaruar se kërkon që një marrëveshje armëpushimi të arrihet gjatë këtij samiti, duke shtuar se nuk do të jetë i kënaqur nëse nuk ndodh një gjë e tillë.
Ndërkohë, Kremlini ka deklaruar se Trump do të takohet me Putinin në shkallët e avionit të presidentit rus kur të ulet, duke shtuar se bisedimet mund të zgjasin deri në shtatë orë, raporton rtsh.


