Rusia dhe Ukraina vijojnë bisedimet në Abu Dhabi, dita e parë e takimit u vlerësua konstruktive mes palëve

Rusia dhe Ukraina vijojnë bisedimet në Abu Dhabi, dita e parë e takimit u vlerësua konstruktive mes palëve

Rusia tha këtë të enjte (5 shkurt) se ka pasur përparim në bisedimet me Ukrainën në Abu Dhabi për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare të shkaktuar nga pushtimi në shkallë të plotë i Moskës ndaj fqinjit të saj properëndimor.

“Padyshim që ka përparim, gjërat po ecin në një drejtim të mirë dhe pozitiv”- tha negociatori rus Kirill Dmitriev për mediat shtetërore. Ai kritikoi ashpër atë që e përshkroi si përpjekje nga vendet evropiane për të prishur progresin në fillim të ditës së dytë të bisedimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe midis negociatorëve rusë, ukrainas dhe amerikanë.

Dita e parë e bisedimeve në Abu Dhabi përfundoi pa ndonjë përparim të dukshëm, ndërsa Kievi i cilësoi negociatat si substanciale dhe produktive.

Duke dhënë detaje presidenti Zelensky tha palën janë dakordsuar të shkëmbejnë të burgosurit e luftës. “Lufta duhet të përfundojë vërtet. Rusia duhet të jetë gati për këtë” – tha ai.

Ndërsa nënvizoi numrin e madh të viktimave nga konflikti, Zelensky tha se 55 mijë trupa të vendit të tij ishin vrarë, një vlerësim i rrallë i humbjeve në fushëbetejë që as Moska dhe as Kievi nuk e kanë dhënë zakonisht. “Ka një numër të madh personash që Ukraina i liston si të zhdukur”- u shpreh.

Lufta është shndërruar në konfliktin më vdekjeprurës të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, me qindra mijëra të vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë.

Bisedimet e së mërkurës erdhën pas disa javësh sulmesh ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat i kanë lënë banorët e Kievit në errësirë dhe të ftohtë, me temperatura që kanë rënë deri në -20 gradë Celsius. /rtsh/

Share This