Rubio: Përpjekjet ndërkombëtare për të njohur shtetin palestinez e bëjnë më të vështirë përfundimin e luftës

Rubio: Përpjekjet ndërkombëtare për të njohur shtetin palestinez e bëjnë më të vështirë përfundimin e luftës

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, patën një takim tre-orësh në zyrën e këtij të fundit në Jerusalemin Perëndimor, pas të cilit mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalën e tij, Rubio nënvizoi se sipas tij, përpjekjet ndërkombëtare për të njohur shtetin palestinez e bëjnë më të vështirë përfundimin e luftës

Ai paralajmëron se nëse Hamasi sheh se po merr mbështetje globale, mund të tërhiqet nga marrëveshjet për të cilat ka rënë dakord dhe thotë se kjo mund të vërë në rrezik lirimin e pengjeve izraelite.

Duke folur për rolin e Katarit, Rubio tha se Uashingtoni po përqendrohej në të ardhmen dhe jo në të kaluarën. “Po shqyrtojmë se çfarë mund të bëjmë me Katarin dhe cili do të jetë roli i tij i ardhshëm në bisedime. Ne e inkurajojmë atë të vazhdojë rolin e tij”, tha ai.

Rubio thotë se populli i Gazës nuk mund të jetojë në paqe derisa “Hamasi të eliminohet” dhe se kjo sipas tij mbetet një objektiv.

Sekretari i Shteteve të Bashkuara riafirmoi “angazhimin e palëkundur” të SHBA dhe Trumpit si aleat i Izraelit.

Nga ana e tij, kryeministri izraelit nënvizoi se Izraeli dhe SHBA-të do të vazhdojnë të veprojnë së bashku për mbrojtjen e tyre.

Vizita e Rubios në Izrael vjen mes tensioneve me vendet mike të SHBA-së në Lindjen e Mesme për shkak të sulmit izraelit që synonte udhëheqësit e Hamasit në Katar dhe zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sakaq, Katari ka mbledhur udhëheqësit arabë dhe islamikë në kryeqytein e vendit në një takim urgjent në përgjigje të sulmit të paprecedentë izraelit ndaj anëtarëve të Hamasit në Doha.  Katari i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të heqë dorë nga standardet e dyfishta dhe ta dënojë Izraelin për të gjitha krimet që ka bërë. /rtsh/

Share This