
Rubin: Nuk arritëm t’i vërtetonim akuzat për UÇK-në
James Rubin po vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Pas marrjes në pyetje nga tre ekipet e Mbrojtjes dje, Prokuroria filloi marrjen në pyetje të James Rubin, dëshmitarit të parë të Mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Ish-diplomati amerikan, Rubin u pyet nga Prokurori rreth pretendimeve se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasje. Në përgjigjen e tij, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kishin shqyrtuar këto akuza, por nuk kishin arritur t’i vërtetonin
“Ka patur pretendime dhe akuza për një vit, ne shikuam ato nuk arritëm t’i vërtetonim. Mendoj që po ata ishin një forcë qe duhej të merreshin parasysh dhe në konsideratë në terren dhe ne donim të krijonim një Kosovë më afatgjate, të kishim shkëmbime dhe të punonim me z. Thaçi”, deklaroi Rubin.
Prokurori i çështjes e pyeti nëse është e saktë që në vitet 1998 dhe 1999 mediat ndërkombëtare dhe organizatat tjera kishin publikuar raporte me pretendime të besueshme për krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së, raporton rtk.

