Rritja e çmimit të karburantit shtrenjton biletat, BE ndalon pagesat shtesë

Rritja e çmimit të karburantit shtrenjton biletat, BE ndalon pagesat shtesë

Rritja e çmimit të karburanteve si pasojë e luftës në Iran ka bërë që të rriten ndjeshëm çmimet e biletave të aeroplanëve. Sezoni veror pritet të paraqesë sfidë të veçantë si për kompanitë ajrore, ashtu edhe për pasagjerët.

Sipas informacioneve, disa aviokompani po kërkojnë pagesa shtesë nga pasagjerët që tashmë kanë blerë bileta, duke u arsyetuar me rritjen e shpenzimeve të fluturimeve.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se kompanitë nuk kanë të drejtë të kërkojnë pagesa shtesë për bileta të blera më parë, por nuk mund të ndërhyjë në vendimet e tyre për anulimin e fluturimeve.

“Një gjë është që linjat ajrore anulojnë fluturimet. Këto janë vendime që duhet t’i marrin linjat ajrore. Ato drejtojnë një operacion komercial, drejtojnë një biznes, kështu që u takon atyre të vendosin se çfarë e bën biznesin të mirë dhe çfarë jo. Pra, anulimi i fluturimeve varet tërësisht nga linjat ajrore”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana-Kaisa Virkkunen.

Komisioni shtoi se pasagjerët e prekur nga anulimet mbrohen nga të drejtat e pasagjerëve ajrorë të BE-së, që përfshijnë rimbursim, ridrejtim ose kthim të mjeteve, si dhe ndihmë në aeroport nga kompania ajrore.

Megjithatë, ekzistojnë përjashtime në rast të rrethanave të jashtëzakonshme.

“Nëse vijmë në një situatë të mungesës së karburantit për avionë, atëherë, sipas qëndrimit tonë, aeroportet ose linjat ajrore që përjetojnë mungesë të karburantit mund të konsiderohen se ndodhen në rrethana të jashtëzakonshme”, theksoi Virkkunen.

Që nga fillimi i konfliktit me Iranin në shkurt, kostoja e karburantit për avionë është më shumë se dyfishuar. Kjo ka bërë që shumë linja ajrore evropiane, përfshirë edhe disa nga gjigantët e aviotransportit, të anulojnë fluturime. /RTK/

Share This